1 vit arrest shtëpie me byzylyk elektronik për mbikqyrje është dënimi përfundimtar ndaj ish-Presidentit francez, Nikolas Sarkozi, dhënë nga Gjykata e Lartë e këtij vendi.

Shkalla më e lartë e gjyqësorit la në fuqi vendimin e shkallëve më të ulëta që e shpallën atë fajtor për korruptimin e një gjyqtari. Megjithatë, dënimi me 3 vite burg i dhënë nga Apeli vitin e kaluar u konvertua në 1 vit arrest shtëpie.

Avokatët e Sarkozisë thanë se çështjen do e apelojnë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, por kjo nuk ndikon në vendimin e Gjykatës së Lartë që është i pakthyeshëm deri në rastin e një vendimi të shkallës europiane.

Sarkozi u shpall fajtor pasi në disa përgjime rezultoi se i kishte kërkuar një gjykatësi, informacione konfidenciale nga hetimet për pranim financimesh të jashtëligjshme për fushatën e vitit 2007 kur u zgjodh president, nga Lilien Betenkurt, trashëgimtare e aksioneve të kompanisë L’Oreal. Sarkozi i kishte premtuar gjykatësit se do i gjente vend në Gjykatën e Monakos nëse e ndihmonte.

Për çështjen Betenkurt, Sarkozi u shpall i pafajshëm. 69-vjeçari do të përballet vitin tjetër edhe me një gjyq për marrje financimesh ilegale, po për fushatën e 2007 nga ish-diktatori libian Muamar Gedafi, regjimi i të cilit ra me pranverën arabe të mbështetur edhe nga vetë Sarkozi.

Tv Klan