Lajme Arkiva 2003
Gjykata e Tiranës hapi procesin kundër administratorit të firmës farmaceutike Prodental Farama, Roberto Volpini. Ai akuzohet në bazë të nenit 288 të Kodit Penal për prodhim lëndësh farmaceutike jashtë standardeve të kërkuara në më shumë se një rast.
Prokuroria ka paraqitur në seancën gjyqësore në kërkesën për gjykim edhe provat që sipas saj përfaqësojnë Volpinin. Rreth 6000 ampula analginë me numër serie të falsifikuar dhe një sasi prej më shumë se 3000 falkonësh me karbonat natriumi janë konfiskuar, pasi nga analizat e këtyre të fundit ka dalë se kanë pasur në përbërje precipitate grimcash mjaft të dëmshme për shëndetin.
Ilaçet nuk kanë qenë të regjistruara në qendrën e kontrollit të barnave. Këto medikamente kanë qenë të destinuara kryesisht për Qendrën Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.
Firma Prodental Farama është regjistruar në emrin e bashkëshortes së të pandehurit, ndërsa ky i fundit kryente detyrën e administratorit. Në një nga seancat e ardhshme Volpini pritet të njihet me konkluzionet e Prokuroisë, e cila mendohet se do të kërkojë ndëshkimin e të pandehurit me gjobë. Vetë i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën./tvklan.al