Gjatë përurimit të Spitalit të Pediatrisë së Përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky investim është pjesë e modernizimit të shëndetësisë, duke përfshirë spitalet pediatrike dhe maternitetet rajonale në të gjithë vendin.
“Vij përsëri këtu për një tjetër derë që hapim në këtë qendër spitalore ku transformimi tanimë është i gjithanshëm, dhe ku ende pak struktura mbeten për t’u integruar në këtë tërësi të transformuar. Mjekëve dhe infermierëve të Pediatrisë u japim mundësinë e një tjetër strukture të standardeve më të larta bashkëkohore”, tha Edi Rama.
Kryeministri Rama foli sërish për rritje të pagave të mjekëve dhe infermierëve, por pa dhënë një datë të caktuar.
“Pavarësisht se ne i kemi rritur pagat në mënyrë të ndjeshme nuk keni mendimin që ju jeni shumë të kënaqur, po jemi të bindur që do ta mirëprisni një rritje tjetër. Ju lë me kaq këtu, por jini të sigurtë që këtë e kemi shumë mirë parasysh edhe pa na e thënë”, tha Rama.
Edhe ministrja e Shëndetësisë vlerësoi investimin ne kete strukture spitalore.
“Rritjen e kapaciteteve për rritjen e shërbimeve për trajtime inovatore, kapacitete, kushte më të mira për pothuajse 10 mijë familje që marrin shërbim çdo vit”, tha Albana Koçiu.
Sipas Kryeministrit Rama ky është viti me buxhetin më të lartë në shëndetësi, i cili do të sjellë rritje në kapacitetet në të gjithë rrjetet e shërbimit shëndetësor të vendit.
Klan News