Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë ka lënë në burg pa afat nëntë persona të arrestuar për pirateri të kartave dhe aparateve digjitale të arrestuar dy ditë më parë në rrethe të ndryshme të vendit.
Trupi gjykues i kryesuar nga Martin Deda i ka lënë në arrest shtëpie të arrestuarit nën akuzën për mashtrim kompjuterik në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të cilët kanë klonuar dhe u kanë shitur qytetarëve karta të platformës “Digjitalb”, paketës Supersport, Sky dhe Nova që transmetojnë programe me pagesë.
Policia pati sqaruar se ata dekodifikonin sinjalin dhe më pas i shisnin në mënyrë pirate. Operacioni për kapjen e tyre i koduar me emrin “Modem” u shtri në shtatë rrethe të vendit Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Berat dhe Korçë.
Hetimet për këtë aktivitet kriminal kishin nisur prej muajit Tetor të vitit të shkuar nga prokuroria.
Sipas policisë operacioni për goditjen e veprimtarive kriminale në këtë fushë do të vijojë./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani