Pas vitesh të tëra përplasjesh me autoritetet, nxënësit në Tajlandë mund të lëshojnë flokët.
Sipas raportimit të BBC, të mërkurën, Gjykata Supreme Administrative anuloi direktivën 50-vjeçare të Ministrisë së Arsimit që më parë përcaktonte sesi nxënësit duhet të mbanin flokët: djemtë të shkurtër, ndërsa vajzat me gjatësi deri te veshi.
Në praktikë, shumë shkolla kanë aplikuar lëshime për modelin e flokëve. Por disa përdornin ende direktivën e vitit 1975 dhe ua prisnin flokët nxënësve të pabindur.
Rregulli cenonte liritë individuale që mbron kushtetuta dhe nuk përshtatej me shoqërinë e sotme, është shprehur gjykata.
Vendimi vjen pas një peticioni të paraqitur nga 23 shkolla publike në vitin 2020 që thoshte se direktiva e 1975 ishte jo kushtetuese. Aktivistët kanë bërë shpesh fushata që rregullorja e flokëve të zbutej duke thënë se prek dinjitetin njerëzor dhe lirinë personale të trupit.
Në përgjigje të këtyre fushatave, në vitin 2020 Ministria e Arsimit i lejoi nxënësit që të kishin flokë më të gjatë por me disa kufizime. Djemtë ‘sduhet të mbulonin zverkun ndërsa vajzat duhet t’i lidhnin.
Këto rregulla u revokuan në 2023 kur ministri Trinuch Thienthong njoftoi se studentët, prindërit dhe autoritetet e shkollës duhet të negociojnë dhe të arrijnë në një konsensus për modelet e pranueshme.
Pavarësisht kësaj, disa shkolla vazhdonin me standardin e dikurshëm. Si traditë, shkollat i kanë lidhur flokët e shkurtër me disiplinën dhe pastërtinë. Por vitet e fundit, raportimet për shkolla që ndalonin baluket apo lyerjen, kanë nxitur reagime në publik.
Në disa ppjesë të vendit, mësuesit prisnin flokët e nxënësve gjatë apelit të mëngjesit për t’i ndëshkuar. Këto praktika janë zbatuar edhe pse autoritetet i kanë paralajmëruar mësuesit.
Në janar, Ministria e Arsimit përsëriti heqjen e kufizimeve për të gjithë nxënësit duke thënë se e njihte “rëndësinë e promovimit të diversitetit dhe drejtësisë në të gjitha aspektet e edukimit”.
Vendimi i së mërkurës rikonfirmon shtysën që zgjedhja për modelin e flokëve t’u lihet nxënësve në dorë./tvklan.al