Zyrtarët ukrainas dhe amerikanë po mbajnë bisedimet në Arabinë Saudite për të gjetur një zgjidhje drejt përfundimit të luftës me Rusinë. Ekipi ukrainas përfaqësohet nga shefi i zyrës së Zelensky, Andriy Yermak, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të vendit, ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes.
Rubio përfaqëson delegacionin e SHBA-së së bashku me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz dhe të dërguarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, deklaroi se gjëja më e rëndësishme tani është të diskutohet se si të nise procesi i paqes.
“Garancitë janë thelbësore sepse ne duam të sigurojmë që një agresion i tillë të mos ndodhë më kurrë në të ardhmen. Tani për tani, ne besojmë se çështja kryesore për të diskutuar është se si të nise ky proces,” tha Yermak.
Pala ukrainase ka propozuar një armëpushim ajror dhe detar me Rusinë gjatë negociatave në Jeddah, por Rusia ka hedhur poshtë më parë idenë e një armëpushimi të përkohshëm.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio u shpreh se bisedimet me Ukrainën ishin të mira. Ajo që amerikanët duan është një shenjë se ukrainasit janë të përkushtuar ndaj procesit që Trump dëshiron të vendosë, një armëpushim i shpejtë me rusët.
Ndërkaq sipas Bloomberg, Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se nuk dëshiron të bëjë kompromis për Ukrainën. Zyrtarët perëndimorë të sigurisë thonë se Putin refuzon të bëjë kompromis për kërkesat territoriale, paqeruajtësit dhe neutralitetin e Ukrainës.
Kreu i Kremlinit ka bërë qëllimisht kërkesa “maksimaliste” përpara negociatave për t’i dhënë fund luftës, të cilat ai e di se janë të papranueshme për ukrainasit dhe evropianët e tjerë. Por ky vlerësim bie ndesh me besimin e Trump se Putini dëshiron paqe.
Klan News