Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjashtë personat e akuzuar si rrëmbyesit e Klajdi Shehut kanë marrë masën e arrestit burg pa afat në Gjykatën e Faktit në Vlorë. Pesë prej tyre tashmë janë në arrest dhe do të dërgohen menjëherë në qeli. Ndërsa i gjashti nuk është bërë e mundur të ndalohet nga forcat policore. Luan dhe Besnik Saraçi, Elton Ismaili, Alfred Kodheli dhe Luan Gjata, janë transportuar nga komisariati i policisë së Vlorës, deri në gjykatën e faktit, me masa të forta sigurie. Ndërsa për Julian Metushin, pas marrjes së masës së arrestit, pritet të bëhet shpallja e tij, person në kërkim.

Seanca për dhënien e masës së sigurisë është drejtuar nga gjyqtari Fuat Muka. Prokurorët e çështjes, Dorian Tafili dhe Eugen Beci, kanë lezuar akuzën rrëmbim personi dhe mbajtje peng. Nipi i biznesmenit Sulo Shehu, Klajdi Shehu, u rrëmbye në datën 21 Prill në afërsi të palestrës ku ai po stërvitej. Prokurorët e çështjes kanë shpjeguar skemën e kryerjes së krimit.

Akuza ka depozituar dhe një seri fashikujsh me prova dhe procesverbale për kqyrje vendngjarjesh, dhe sekuestrim objektesh konkrete. Avokati i dy të pandehurve, vëllezërve Saraçi, ka kërkuar shqyrtim të detajuar të akteve, duke insistuar në pafajësinë e klientëve të tij.

Avokati:- “Organi i akuzës nëpërmjet përfaqësuesit të tij sot në këtë seancë, nuk argumentoi dot, se ashtu siç kërkon dispozita e procedurës penale, neni 253, paragrafi i parë, që të ketë shkaqe të bazuara, për të menduar se ka rrezik ikje, klienti im që nga momenti i kryerjes së veprës penale, gjithmonë sipas akuzës, prej datës 21.04.2003 dhe deri në momentin e ndalimit, nuk ka konstatuar dhe nuk ka provuar këtë rrezik ikje, prej këtij shtetasi të ndaluar”.

Vetë të akuzuarit, prezent në seancë, nuk kanë bërë deklarata mbi akuzën, duke mbështetur thjeshtë deklaratat e avokatëve të tyre. Në fund gjyqtari Fuat Muka ka dhënë masën e arrestit burg pa afat për pesë të pandehurit në sallë dhe të akuzuarin në mungesë Julian Metushi. Vepra rrëmbim personi në bashkëpunim sanksionohet nga 10 deri në 20 vjet heqje lirie./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj