Shtetasi britanik i arrestuar në Shqipëri për pedofili me fëmijët që strehonte në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij” është dënuar nga gjykata shqiptare me 20 vjet burg.

David Brown nuk ka reaguar aspak kur gjyqtari i çështjes ka dhënë verdiktin përfundimtar, duke i dhënë  fund gjykimit prej më shumë se 2 vjetësh në gjykatën e shkallës së parë.

Britaniku, gjykohet i vetëm në këtë proces dhe pse akuza të rënda për abuzime seksuale me fëmijë shqiptarë rëndojnë dhe mbi dy shtetasit e huaj, Dino Kristodulo dhe Robin Arnold, të cilët gjykohen nga një tjetër trup gjykues.

Vetëm pasi të vuaj 20 vjet në qelitë shqiptare, 60-vjecari David Brown do të dëbohet nga Shqipëria si person i padëshirueshëm, ndërsa të gjitha burimet financiare të fondacionit bamirës që drejtoheshin prej tij, por të financuara nga qeveria angleze do ti kalojnë shtetit.

David Brown u mbrojt gjatë procesit penal vetëm me një arsyetim, se ai ishte një impotent. Për të vërtetuar këtë fakt ai paraqiti në cilësinë e provës raporte të mjekut, i cili kishte kryer analizat e të pandehurit pas arrestimit.

Por raportet mjekësore që pati siguruar prokurori i çështjes Kol Hysenaj, se fëmijë të moshës nga 4 deri në 12 vjeç ishin abuzuar seksualisht e binden gjykatën në fajësinë e të pandehurit Brown./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani