Anglia do të ekstradojë në Shqipëri dy shtetasit e saj Dino Kristodulo dhe Robin Arnold, të kërkuar në vendin tonë për pedofili në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij”. Për të njëjtën akuzë në qeli gjendet britaniku tjetër David Brown, administrator i kësaj qendre.

Lajmin për ekstradimin dhe gjykimin e tyre në Shqipëri, e bën të ditur prokurorja e përgjithshme Ina Rama dhe homologu i saj anglez Ken Macdonald, gjatë një takimi në organin qendror të akuzës.

Ina Rama: “Vendimi që lidhet me miratimin e kërkesës për ekstradim në Shqipëri të shtetasve britanikë Dino Kristodulo dhe Robin James Arnold të cilët janë akuzuar dhe janë duke u proceduar penalisht nga prokuroria shqiptare për akuzën e marrëdhënieve seksuale, apo homoseksuale me të mitura.”

Ken Macdonald: “Doja t’ju bëjë një gjë të qartë që të gjithëve me nënshtetësi britanike që do të kryejnë vepra penale në territorin shqiptar të jenë më se të sigurt, se ata s’do të fshihen në Britaninë e Madhe.”

Pavarësia e organit të akuzës dhe çlirimi i tij nga presionet e politikës, kanë qenë një çështje tjetër e prekur nga dy kryeprokurorët. Në këtë kontekst Ina Rama ka dhënë mesazhe të qarta se përgjegjësisë penale nuk do t’i shpëtojë asnjë individ apo zyrtar, përfshi këtu prokurorë dhe gjyqtar që shkelin  ligjin.

Ina Rama: “Një prioritet shumë i rëndësishëm i punës tonë është dhe rritja e pavarësisë së prokurorëve në punën  e tyre. Që organi i akuzës është i angazhuar plotësisht që të vërë para përgjegjësisë të gjithë përfshirë edhe punonjësit e drejtësisë që me veprimet e tyre konsumojnë vepra penale. Apo të vërë para një  procedimi disiplinor ata prokurorë dhe oficerë që shkelin detyrën dhe qe duhet të ndëshkohen normalisht nëpërmjet masave disiplinore që parashikon ligji.”

Në këtë dalje publike Ina Rama deklaroi gjithashtu se në zyrën e saj tashmë është ngritur dhe qendra më e re e përgjimeve, një financim i qeverisë angleze mbi të cilin do të mbështeten të gjitha hetimet për investigimin mbi transnacional si dhe krimin e organizuar që zhvillohet midis dy vendeve./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani