Akuzohet se ndihmoi dy trafikantë të pastrojnë paratë

Ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës, Rajmonda Dashi do të qëndrojë në “arrest shtëpie”. Ajo është njohur me masën e sigurisë të dhënë në mungesë nga Gjykata e Posaçme pas dyshimeve se ajo ka ndihmuar dy të dënuar për trafik droge të pastrojnë paratë.

Në seancën e zhvilluar këtë të shtunë, krahas Rajmonda Dashit, me masën e sigurisë “arrest me burg” është njohur dhe biznesmeni Ardian Malasi. Ata u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Posaçme me dyshimin se kanë ndihmuar dy vëllezërit Besian dhe Leonard Ramaj të pastrojnë paratë që si burim kanë aktivitetin e trafikut të drogës, për të cilën dhe janë dënuar në Belgjikë.

Pikërisht nga ky shtet është inciuar dhe hetimi i SPAK i cili ka konkluduar se, Rajmonda Dashi duke shfrytëzuar dhe postin e saj, ka ndihmuar dy vëllezërit që paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal, të investoheshin në pasuri.  Një pjesë e pasurive janë regjistruar jo vetëm në emër të tyre por dhe të biznesmenit, Malasi tashmë të arrestuar.

Këto pasuri të dyshuara si të krijuara nga paratë e trafikut të drogës në shtetin belg, janë vënë në sekuestro nga SPAK. Konkretisht bëhet fjalë për 49 pasuri, mes të cilave 27 llogari bankare, 16 apartamene në Tiranë e Fier, si dhe 3 garazhe 2 automjete dhe një shoqëri tregtare.

Tv Klan