Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për të kallëzuar gjyqtarin Markelian Kuqo, i cili ka liruar me kusht Gert Gjinararin, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Arben Grorit. Rama e konsideron këtë hap të vonuar, por në rrugën e duhur për të vendosur drejtësi.
“Përshëndes Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për kallzimin e një të paudhi me çyrk gjykatësi që ka sfiduar hapur drejtësinë dhe popullin, duke liruar një të dënuar me burgim të përjetshëm! Më në fund një hap i vonuar në rrugën e duhur të vendosjes së drejtësisë në drejtësi”, thotë Rama.
Ditën e sotme Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur shqyrtimin e kërkesës së ILD-së për fillimin e procedimit disiplinor ndaj Kuqos. Mësohet se seancën e sotme janë dëgjuar parashtrimet e palëve. KLGJ-ja nuk dha një vendim ditën e sotme, por e ka shtyrë atë për datën 21 Tetor.
“Me qëllim shqyrtimin me objektivitet dhe paanësi të provave dhe fakteve të paraqitura”, thuhej në një njoftim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
ILD-ja kërkon shkarkimin e Mgjyqtarit të Korçës Markelian Kuqo. Sipas Inspektoratit, Kuqo liroi me kusht Gert Gjinararin, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Arben Grorit.
ILD thotë se me këtë veprim gjyqtari ka cënuar imazhin e sistemit gjyqësor dhe besimit të publikut. Por sipas gjyqtarit, ILD nuk i ka dërguar një shkresë zyrtare dhe nuk ka asnjë argument për shkarkimin e tij./tvklan.al