Ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë nëse kasetat dhe fotografitë e paraqitura si prova të akuzës janë origjinale dhe të pa manipuluara. Kështu kanë deklaruar tre ekspertët e thirrur për të dëshmuar në seancën gjyqësore për dosjen e dytë të kryengritjes së armatosur të 14 Shtatorit. Seanca e radhës për këtë proces ka filluar me deklaratën e ekspertëve në bazë të të cilëve ata nuk ishin në gjendje dhe nuk dispononin aparaturën e posaçme për të verifikuar origjinalitetin e provave të paraqitura nga Prokuroria.

Ekspertimi i kasetave dhe fotografive ishin dy pikat e para të dërguar laboratori qëndror i kriminalistikës i cili nga ana e vet kishte përcaktuar Orest Afezollin, Idajet Shaton dhe Ilir Avramin të jepnin mendimin e tyre për provat e paraqitura. Ndërsa pika e tretë ishte nëse të pandehurit që gjykohen në këtë dosje ishin fiksuar apo jo në kasetat me pamje filmike nga ngjarjet e 14 Shtatorit të shkuar.

Prokurori i çeshtjes i ka kërkuar specialistëve të bënin detyrën sipas mundësive pa pretenduar ndonjë gjë shtesë, ndërsa pala mbrojtëse i ka kërkuar trupit gjykues të kryesuar nga Genti Sinani se nuk mund të bëje ekspertimin për pikën e tretë pa realizuar më parë origjinalitetin e provave të paraqitura nga akuza.

Kështu hetimi gjyqësor për dosjen e dytë të procesit të 14 Shtatorit vështirësohet në një kohë kur edhe për dosjen e parë ende nuk është vërtetuar origjinaliteti i të njëjtave prova filmike të paraqitura nga Prokuroria./tvklan.al