Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Kërkojmë ndjekjen penale për ekspertët të cilët nuk u paraqitën sot. Procesi gjykues i 14 Shtatorit, ndaj grupit të parë të pandehurve ka nisur me këtë kërkesë të ashpër të prokurorit Nasip Naço. Për të vërtetuar provat e paraqitura kërkohej ekspertimi i tyre si nga pala mbrojtëse ashtu edhe nga organi i akuzës Prokuroria.
Por nuk janë paraqitur ekspertët e thirrur ndaj të cilëve tashmë do të ketë ndjekje penale. Megjithatë njeriu i seancës së sotme Nasip Naço ka kërkuar të thirren tre ekspert të rinj, Skënder Begeja, Bardhyl Çipi dhe Estref Myftari. Me këtë kërkesë kanë qenë dakort dhe avokatët e palës mbrojtëse të cilët nga ana e tyre i kanë kërkuar trupit gjykues të kryesuar nga Sokol Pasho të verifikoj nëse personat e thirrur nga prokurori figurojnë në listat e ekspertëve profesionist dhe të licensuar.
Ndërkohë të pandehurit që gjykohen në gjendje arresti kanë deklaruar se ata do të paraqiten në seancat gjyqësore deri në momentin që do të kenë fuqi fizike. Pas përfundimit të seancës së kaluar ata deklaruan shpalljen e një greve urie. Trupi gjykues ka qenë dakort me kërkesat e të dyja palëve dhe ka vendosur që seanca e ardhshme të jetë më 7 Tetor./tvklan.al