Arkiva Lajme – Tv Klan 1999

Pamjet filmike të ngjarjeve të 13 dhe 14 Shtatorit të vitit të kaluar nuk kanë ngjallur ndonjë interes të veçantë në Gjykatën e Faktit Tiranë. Ka vazhduar edhe sot seanca e radhës për dosjen numër 2 të këtij procesi me rishfaqjen e atyre pamjeve filmike që disponon organi i akuzës. Kanë qenë pamjet e homazheve të kryera për deputetin e vrarë Azem Hajdari në sheshin Skënderbej ato që kanë filluar seancën për të vazhduar më pas me deklaratën televizive të liderit legalist Ekrem Spahia etj.

Deklarata e liderit legalist Ekrem Spahia ka ngjallur debat kur ai ka cituar ultimatumin që 12 partitë e djathta pjesmarrëse në takimin me Presidentin e Republikës mbrëmjen e 13 shtatorit i kanë bërë Qeverisë së ish-Kryeministrit Nano. Ky debat e ka detyruar kryetarin e trupit gjykues Genti Sinani të shtyj seancën për rreth 30 minuta.

Më pas është vazhduar me shfaqjen e sekuencave të tjera filmike të paraqitura në cilesinë e provës nga Prokuroria, për të vërtetuar ose jo akuzën e ngritur ndaj të pandehurve të kësaj dosje, për pjesmarrje në kryengritje të armatosur dhe dhunim të institucioneve./tvklan.al