Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nëna e një 20 vjeçareje të masakruar në Itali, dëshmoi kundër dhëndrit të saj, duke e akuzuar atë, si vrasësin e të bijës. Ngjarja e ndodhur në Genova të Italisë në prill të dy viteve më parë, ka sjellë në bankën e të akuzuarve dy kushërinj, Genc Hysën dhe Kujtim Danin.

Historia e rendë ka nisur me martesën e Hysës me Servete Kullën nga fshati Ishëm i Durrësit. Çifti është nisur në Itali pak muaj pas martesës dhe 19-vjeçarja prej asaj kohe është shfrytëzuar nga i shoqi dhe kushëriri i tij Kujtim Dani si prostitutë. Por një mosmarrëveshje mes gruas dhe tutorëve të saj, ka bërë që dy kushërinjtë, sipas hetuesve italianë dhe atyre shqiptarë, të hakmerren barbarisht. Trupi i saj është gjendur i therur dhe i hedhur në një kazan plehrash.

Nëna e viktimës ka humbur disa herë kontrollin gjatë dëshmisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa përshkruante telefonatën e fundit që ka pasur me të bijën nga Italia. Dëshmitari tjetër ka qenë i ati i viktimës, i cili gjithashtu ka fajësuar të pandehurin si autor të vrasjes. Gent Hysa dhe Kujtim Dani u arrestuan pas denoncimeve të prindërve të vajzës.

Dosja voluminoze e ardhur nga Italia, përmban ndër të tjera aktin e ekspertizës të kryer në trupin e viktimës, ku veçohet se mënyra e vrasjes është e ngjashme me atë të therjes së bagëtive. Gjatë seancës së sotme asnjë nga të akuzuarit për këtë krim nuk ka folur, por që nga momenti i arrestimit ata nuk e kanë pranuar akuzën./tvklan.al