Rritja e shifrave shton masat shtrënguese
Britania e Madhe hyri në një periudhë të dytë të karantinës në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Njerëzit shijuan një natë të fundit në pub-e, bare dhe restorante të mërkurën, para se të hynte në fuqi shtetrrethimi i dytë i vendosur nga autoritetet që shpresojnë të ndalojnë mbingarkimin e sistemit shëndetësor.
Dyqanet dhe bizneset jo thelbësore, të tilla si pub-et, restorantet, parukeritë, palestrat, dyqanet e rrobave dhe kinematë janë detyruar të mbyllen deri të paktën më 2 Dhjetor.
Ndryshe nga bllokimi i pranverës, shkollat dhe universitetet do të qëndrojnë të hapura, së bashku me kantieret e ndërtimit dhe fabrikat. Pronarët e bizneseve të mbyllura shprehën ankesa për vendimin që vjen në prag të festave të fundvitit.
Sistemi shëndetësor publik britanik ka lëvizur në nivelin më të lartë të gatishmërisë në urgjenca prej së enjtes. Mbretëria e Bashkuar ka numrin më të lartë të vdekjeve në Evropë me gati 48 mijë raste për shkak të virusit.
Edhe në Itali, kryeministri Giuseppe Conte firmosi një shtetrrethim në të gjithë vendin, i cili do të hyjë në fuqi të premten dhe do të zgjasë për një muaj. Qytetarët duhet të qëndrojnë brenda nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit.
Shkollat e mesme do të mbyllen, por edhe qendrat tregtare gjatë fundjavës. 20 rajonet e Italisë do të ndahen në zona të gjelbra, portokalli dhe të kuqe sipas situatës epidemiologjike, në të cilën do të zbatohen masa pak a shumë kufizuese.
Qipro gjithashtu ka vendosur shtetrrethimin gjatë natës deri më 30 Nëntor. Shtetrrethimin gjatë natës e vendosi edhe Austria. Masa shtrënguese janë marrë edhe në Holandë, Poloni, Hungari e Portugali.
Tv Klan