Një ditë pas vendimit të dhënë ndaj tij nga togat e zeza të Kushtetueses, Sali Berisha shënjestroi gjyqtarët, duke i akuzuar si të përfshirë në grusht shteti me urdhër të Kryeministrit Rama.
“Gjykata Kushtetuese me vendimin saj dje, u bë pjesë e grushtit të shtetit, e grabitjes së pushtetit të parlamentit nga mercenarë, gjykatës me 4 mbiemra, me Enchro Chat, Sky ECC etj. Kjo Gjykatë ka thënë dje se është shkelur kushtetuta, a kishte të drejtë Sali Berisha të zbatonte një vendim antikushtetues? Jo, por këta s’kanë ligj e moral. Aty thotë është shkel parimi i proporcionalitetit, ku kanë kushtetutë këta?! Këta janë çeta e Gjokës.”
Në kushtet kur prej 11 muajsh ende është në arrest shtëpie, a po e konsideron Sali Berisha nxjerrjen e një kandidati për kryetar partie apo kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
“Kurrë, kurrë! Beteja ime është për sovranitetin e këtij vendi dhe jo 20 apo 30, po 150 po të firmosin, nuk do mund t’i caktojnë opozitës kurrë kryetarin. Si u ktheva unë? Kur e pashë se kryetarin e kishin futur në xhep.”
E teksa pohon se frenat e partisë do t’i ketë vetë nënkontroll, njofton se ka nisur nga puna për të zbutur varfërinë në vend, përmes një skeme që po punohet edhe me ekspertë të huaj për rishpërndarjen tërësisht të të ardhurave dhe pasurive natyrore të shqiptarëve.
“Nëse sot 80% e të ardhurave shkojnë nëpër vjedhje kjo shifër do harrohet, përparësi absolute do këtë njeriu, rrogat, pensionet, minimumin jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit. Nuk mundet shteti t’i shesë me të njëjtin çmim atij që merr 180 Euro me atë që merr 7 mijë Euro si Dumani me kompani.”
Duke shprehur shqetësim për flukset e mëdha të Euros në vend, të cilat thotë se vijnë nga trafiku i drogës, Berisha i kërkoi Bankës së Shqipërisë të shpallë emergjencën kombëtare.
“I kërkoj guvernatorit të Bankës së Shqipërisë të informojë të gjitha bankat se narkoeurot po mbysin ekonominë shqiptare, të shpallë publikisht sundimin e narkoeuros në tregun shqiptar. Nuk mund të spekulohet më, jo turizmi, jo kjo, jo ajo…”
Në konferencën vitruale me mediat, Berisha njoftoi se protesta e rradhës do jetë në 26 nëntor në kryeqytet.
Tv Klan