Në Shkodër dhe Elbasan u luajtën ndeshjet e para gjysmë finale të kupës së Shqipërisë në futboll dhe Vllaznia ndaj Dinamos, Tirana ndaj Elbasanit, me fitoret e thella që arritën kanë siguruar thuajse plotësisht kualifikimin për në finalen e 17 majit.
Kronika edhe pse me shumë gola, 4 me 0 në Shkodër dhe 3 me 0 në Elbasan, nuk mund të thuash se është shoqëruar me emocione, kjo sidomos në Shkodër ku dinamovitët kryesues në kampionat e kanë nënvlerësuar si asnjëherë tjetër takimin e parë gjysmë final, ata që para kësaj ndeshje deklaronin se do të luftonin fort si për kupë ashtu edhe për kampionat kanë bërë të kundërtën duke paraqitur në stadiumin Loro Boriçi një formacion të përbërë vetëm me të rinj dhe rezervat e ekipit të parë.
Pavarësisht se si ka qenë strategjia e dinamovitëve për këtë ndeshje, shkodranët nga ana e tyre kanë luajtur me seriozitet dhe golat e Sinanit, Kaçit dhe Sukajt kanë vulosur rezultatin 4 me 0 duke i dhënë siguri më shumë për në finale Vllaznisë duke mos u merakosur aspak për ndeshjen e kthimit që do të luhet me 23 prill.
Çudia më e madhe nëse mund të quhet kështu ka ndodhur në Elbasan, ku vendasit në Rruzhdi Bizgju gjithashtu plot zhurmë dhe bujë para kësaj ndeshje duke synuar fitoren e saj përkundrazi edhe pse kanë luajtur përpara sportdashësve të vet i kanë lënë të zhgënjyer mijërat e tifozëve të tyre, pasi gjatë gjithë lojës janë treguar inferior ndaj Tiranës që ka pasur s protagonist si gjithnjë Klodian Duron, autor i 2 golave ndërkohë që tundjen e rrjetës elbasanase e ka provuar Daniel Xhafa për herë të parë, gati i harruar si golashënues.
Kështu kanë përfunduar me shumë gola, por me shumë pikëpyetje ndeshjet e para gjysmë finale të Kupës së Shqipërisë në futboll./tvklan.al