Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Është viti i pestë, që në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, në ditën e festës së fëmijëve, organizohet Atelie Plus. Organizatorët kanë menduar se si temë të edicionit të sivjetshëm, të zgjedhin “Qyteti im, ëndrra ime”.
Në pikturat e tyre, fëmijët e shkollave fillore dhe 8-vjeçare, të cilët marrin pjesë në këtë aktivitet, e kanë sjellë Tiranën plot ngjyra. Një nga autorët e projektit, Ylli Drishti thotë, se fëmijët e kanë pritur me entuziazëm temën e sivjetme.
Ylli Drishti:- “Fëmijët e pritën shumë mirë dhe ju mund ta shikoni vetë në vizatimet e tyre, se si e përfytyrojnë ata qytetin e tyre dhe si e ëndërrojnë të jetë në të ardhmen”.
Aktiviteti është konceptuar i ndarë në dy pjesë, në ambientet e jashtme të galerisë, fëmijët pikturojnë Tiranën ashtu si e shohin ata, ndërsa në një nga sallat e brendshme është hapur një ekspozitë me punimet më të mira gjatë vitit të ateliesë së edukimit artistik.
Ky aktivitet i organizuar nga GKA dhe shoqata Tradita dhe Vizioni, që ka zgjatur vetëm dy ditë, ka pasur mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, fondacionit “Pro Helvetia”, kompanisë së telefonisë celulare Vodafone, si dhe projektet për inkurajimin e Shqipërisë./tvklan.al
Gazetare – Elja Zotka