Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Ka jetuar për shumë kohë në emigracion, por pa hequr asnjëherë kohë nga profesioni i piktorit, dhe tani edhe pse mjaft i plotësuar dhe i njohur në kryeqytetin grek Athinë, ka vendosur të kthehet në Tiranë, por fillimisht me një ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Ky është Artur Muharremi, i cili për të gjithë dashamirësit dhe të pasionuarit pas pikturës shqiptare, njihet si një nga piktorët më të mirë të artit modern, ku spikatin nota të theksuara të simbolizmit dhe surrealizmit.

“Akuarium”, kështu titullohet ekspozita e Muharremit, e cila përfshin një etapë të re në jetën e piktorit, të cilën ai vetë do ta cilësonte emigracion artistik. Figura njerëzore është kudo e pranishme në pikturën e tij, si për të vërtetuar një nevojë, apo një protestë të heshtur të autorit ndaj ambientit social që e rrethon.

Artur Muharremi:- “Para publikut shqiptar, duhet të shpalos një pjesë të veprës time, ose më mirë të themi një pjesë të shpirtit tim, të asaj pune 2-3 vjeçare që kam bërë në Athinë dhe shpresojë ta mirëpresë publiku shqiptar”.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur 25 punime në teknikën e vajit dhe teknikën e përzierë. Në fondin e GKA ruhen 5 punime të këtij autori, prej të cilave mund të veçohet piktura tepër e kontestuar nga kritika, e titulluar “Para krijimit”, e realizuar në vitin 1989, fituese e çmimit të parë në këtë vit në Ekspozitën e Arteve Figurative./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora