Ushtria sudaneze ka goditur rezidencën e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Pikërisht për këtë sulm të paprecedentë ka reaguar edhe kryeministri i vendit Edi Rama.

Përmes një postimi në “X”, ai thotë se Shqipëria e dënon këtë sulm frikacak në kryeqytetin e Sudanit. Më tej ai thekson se vendi ynë qëndron në krah të Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Shqipëria dënon me vendosmëri sulmin frikacak në rezidencën e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe në Khartoum. Kjo shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare dhe çdo norme diplomatike nuk duhet të mbetet e pakundërshtueshme. Shqipëria qëndron në krah të Emirateve të Bashkuara Arabe, duke bërë thirrje për respektim të plotë të Konventës së Vjenës dhe mbrojtje të plotë diplomatike. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’i japin përparësi paqes dhe të respektojnë ligjin ndërkombëtar”, shkruan kreu i qeverisë.

Alarmin për sulmin e kanë dhënë vetë Emiratet e Bashkuara, ndërsa raportohet se ushtria sudaneze e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tyre, pas atij sulmi qëndrojnë forcat e shpejta paraushtarake të njohura ndryshe si RSF.

/tvklan.al