Ernest Muçi duket në formë të jashtëzakonshme. Fantazisti i Shqipërisë, gjeti rrugën e rrjetës për të tretën ndeshje radhazi me fanellën e Besiktas.
Muçi shënoi golin e avantazhit, në fitoren 2-1 ndaj Malmo-s në Europa League. Kur ndeshja ishte “gozhduar” në shifrat 0-0, u shfaq shqiptari, i cili pas një topi të marrë në zonë, gjuajti bukur dhe zhbllokoi takimin në minutën e 76-të.
Ky gol e ndihmoi Besiktasin të marrë fitoren e dytë në Europa League. Për Muçin ky është goli i tretë radhazi, pasi shënoi me herët në kampionat ndaj Galatasarayt dhe ndaj Kasimpasa.
23-vjeçari konfirmon formën e shkëlqyer, para grumbullimit me Shqipërinë, pasi pritet të jetë pjesë e listës së trajnerit Silvinjo, për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndaj Çekisë dhe Ukrainës. /tvklan.al