Autoritetet italiane kanë goditur një rast të trafikut të drogës përmes detit. Sipas mediave italiane, në brigjet e Salentos është kapur një skaf me mbi 1.5 ton e gjysmë marijuanë.
Mjeti lundrues u identifikua nga autoritetet kufitare teksa po i drejtohej brigjeve italiane. Dy persona në bordin e skafit u arrestuan në flagrancë. Mediat italiane raportojnë se ata janë shqiptarë, megjithatë identiteti i tyre nuk është bërë i ditur. Policia italiane sekuestroi në total 71 pako me peshë ekzakte 1.531 kg marijuanë. Nëse lënda narkotike do të hidhej në treg, do të kapte vlerën e 15 milionë Eurove.
Skafi që trafikonte drogë ishte 10 metra i gjatë dhe me dy motorë. Në këtë operacion të policisë italiane, ka marrë pjesë edhe policia shqiptare dhe strukturat e Frontex.
Sipas burimeve policore, nuk ka informacione që gomonia me 1.5 ton marijuanë të jetë nisur nga Shqipëria. Ka dyshime se trafikantët mund të kenë pasur si pikënisje Malin e Zi apo Greqinë. Megjithatë, hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur këtë rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike. /
tvklan.al