Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato është shprehur se është e rëndësishme që opozita të ulet në një tryezë me mazhorancën.
Gjatë fjalës së tij në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama, Ambasadori Gonzato ka theksuar se dhuna dhe ndërprerja e veprimtarisë së Parlamentit nuk është një mënyrë për dialog politik.
Silvio Gonzato: E rëndësishme që opozita të ulet në tryezë. Sukesi i Shqipërisë është pronësia e çdokujt, të gjithë duhet të kenë pronësinë në të dhe do të vazhdoj ta ndaj këtë mesazh. Ka mënyra për të shprehur mospajtimin, ndryshimin e mendimit.
Nuk mendoj se dhuna dhe ndërprerja e veprimtarisë është një mënyrë. Ka mënyra të tjera për t’u angazhuar në dialogun politik. Shpresoj të gjendet një rrugë për të riorganizuar opozitën. Kjo kërkon ende gatishmëri dhe angazhim nga të dyja palët.
Ndërkohë, Kryeministri Rama ka thënë se asnjëherë nuk do të jetë problem që qeveria të ulet në tyrezë me opozitën për të diskutuar.
Edi Rama: Kemi dërguar letra për të kërkuar që të flasim, nuk kemi marrë përgjigje kur kemi qenë në opozitë. Që nga dita e parë dhe deri në ditën që do të jem në detyrë asnjëherë nuk do të jetë problem qeveria për t’u ulur në tryezë dhe për të diskutuar. Diskutimet bëhen përmes gjuhës. Jo përmes krahëve, këmbëve, gjokseve dhe muskujve. Kjo është shumë e thjeshtë.
/tvklan.al