Google po mendon aplikimin e pagesave për rezultate kërkimi “premium” në internet që do të gjenerohen nga inteligjenca artificiale.
Gjitganti teknologjik po studion disa ide për përdorimin e teknologjisë duke përfshirë edhe integrimin e mjeteve të avancuara të kërkimit për shërbimet e abonimit premium.
Sipas Financial Times, motori kryesor i kërkimit do të vijojë të mbetet falas ndërsa përmbajtjet shtesë do të jenë të disponueshme vetëm për ata që kryejnë pagesën. Financial Times është informuar nga tre burime të brendshme të Google për këto propozime.
Reklamat do të vazhdojnë të shfaqen krah rezultateve të kërkimit, edhe për abonentët.
Edhe tani Google kërkon pagesa për hapësirën shtesë të ruajtjes së materialeve dhe shërbimin “AI Premium” që jep akses te asistenti Gemini AI dhe te dokumentet. Kjo do të ishte hera e parë që produktet bazë të kompanisë të ofroheshin me pagesë.
Inxhinierët kanë disa kohë që punojnë me zhvillimin e mjeteve me inteligjencë artificiale, por drejtuesit e Google duhet të vendosin nëse dhe kur do t’i prezantojnë.
“Nuk po punojmë dhe as mendojmë për kërkimet pa reklama. Siç kemi bërë shumë herë më parë, do të vazhdojmë të ndërtojmë shërbimet premium për të përmirësuar ofertat tona të abonimit në Google. Nuk kemi asgjë për të njoftuar për tani”, tha një zëdhënës i Google.
Lëvizja e Google po ndodh në një periudhë kur ka një garë të fortë mes kompanive të teknologjisë për inteligjencën artificiale dhe përdorimin e saj. Ka patur komente që Google nuk po ia del dot të arrijë rivalët si ChatGPT./tvklan.al