Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Sekretari i përgjithshëm i PS Gramoz Ruçi, megjithëse jo shumë i qartë është kundër ndryshimeve në kryesi. Sipas tij, mandati i saj është i pa konsumuar dhe këtë kompetencë për ndryshim e ka Komiteti i Përgjithshëm Drejtues i PS. Zgjedhësit janë ata që gjykojnë mbi një mandat të tillë.
Gramoz Ruçi: “Kryesia e PS ka më pak se një vit që është zgjedhur dhe mendoj që vetë koha e pakët besoj se nuk shërben për të arritur në përfundimin që kanë konsumuar mandatin e tyre politik. Është zgjedhësi që i ka zgjedhur, që gjykon, nëse i zgjedhuri i tyre e ka konsumuar apo se ka konsumuar mandatin. Në raste të tilla ka norma të qarta dhe eksplicite, që ekziston mekanizmi i votëbesimit, i të zgjedhurve nga zgjedhësit e vetë, deri sa s’ka një nismë të tillë, atëherë funksionimi dhe mandati që ata kanë përfituar nga zgjedhësit e tyre është legjitim”.
Kështu vetëm KPD është forumi që mund të ketë kompetencat dhe fuqinë për të bërë ndryshime, por a mund të shihen dorëheqjet si forma më e mirë që i hap rrugën ndryshime?
Gramoz Ruçi: “Dorëheqjet jepen atje në ato institucione të cilat i kanë zgjedhur drejtuesit e PS dhe unë nuk dëshirojë që anëtarët e familjes time politike kudo që janë, të kenë elementë parësor dorëheqjet”.
Duket se qëndrimi i sekretarit të përgjithshëm Ruçi bie në kundërshtim me vullnetin e kryetarit të mazhorancës Fatos Nano. Nga burime brenda mbledhjes së kryesisë mësohet, se ka qenë zoti Nano ai që i ka kërkuar dorëheqjen sekretarit për marrëdhëniet me publikun Agasi, duke u futur në konflikt edhe me anëtarë të tjerë të kryesisë./tvklan.al
Gazetare: Holta Zhiti