I hapet rruga procesit në Hagë për marrëveshjen detare me Shqipërinë
Dy muaj nga deklarata e Ministrit të Jashtëm grek në Tiranë, Nikos Dendias dhe kryeministrit Edi Rama, Athina zyrtare ka bërë lëvizjen e radhës, që i hap rrugë nisjes së procesit për marrëveshjen detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Përmes një dekreti Greqia ka miratuar zgjerimin me 12 milje në detin Jon. Vendimi i Athinës zyrtare erdhi pas dritës jeshile që Këshilli i Shtetit dha për shtrirjen e ujërave territorial nga 6-12 milje detare në ishujt Jonian dhe Kepin Tenaro në Peloponez.
E përditshmja “Protothema” e sheh nxjerrjen e këtij dekreti si një mesazh që qeveria greke po i jep fqinjit të saj Turqisë, marrëdhëniet me të cilin janë acaruar kohët e fundit, ku Ankaraja ka kërcënuar me hapa ushtarakë, pasi sheh të jenë shkelur interesat e saj.
Mesazh ky që bëhet edhe më i fortë ndaj Turqisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes detare me Egjiptin dhe në një kohë kur Athina zyrtare sqaron se dekreti vjen në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për ligjin e detit të vitit 1982.
Kjo konventë, sipas shtypit grek, automatikisht i njeh Greqisë të drejtën e zgjerimit të ujërave territoriale në detin Jon, duke i rezervuar asaj mundësinë e pasjes së një zone ekonomike ekskluzive, për të kërkuar dhe shfrytëzuar burimet detare.
“Protothema” sqaron se përcaktimi i kufijve detarë, mbyllja e gjireve, si dhe zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon hapin rrugën për arritjen edhe të marrëveshjes me Shqipërinë.
Zgjidhja e konfliktit detar mes Tiranës e Athinës do të vendoset në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, për të cilën parimisht është rënë dakord, si nga pala greke, ashtu dhe ajo shqiptare në 20 tetor gjatë vizitës që Ministri i Jashtëm grek pati me kryeministrin Edi Rama.
Dërgimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare erdhi pas shpalljes antikushtetuese të marrëveshjes së arritur në vitin 2009 nga qeveria “Berisha” dhe Ministria e Jashtme e kohës, Dora Bakojanis.
Tv Klan