Zjarret masive që kanë përfshirë Greqinë e kanë zhytur vendin në një gjendje emergjence. Vetëm gjatë ditës së sotme janë numëruar mbi 65 vatra zjarri.

Flakët që kanë përfshirë rrethinat e Athinës janë shtrirë në një rreze rreth 10 kilometra, duke kërcënuar sigurinë e mijëra banorëve në të paktën 5 fshatra. Mësohet se shumë shtëpi janë shkrumbuar nga flakët.

Zyrtarët thanë se zjarret përveç krahinës Gramatikos, kanë përfshirë dhe Maratonën dhe Varnavën.

Flaket kanë arritur deri në liqenin e Varnavës, një vend i frekuentuar nga shumë turistë të huaj. Mediat vendase raportojnë se shumë persona kanë shfaqur probleme me frymëmarrjen si pasojë e asfiksimit, megjithatë deri tani nuk ka asnjë raportim për viktima apo të plagosur.

Në vendngjarje veç 200 zjarrfikëseve, 9 helikopterëve dhe forcave të ndihmës së shpejtë ka edhe trupa ushtarake të cilat po ndihmojnë në stabilizimin e situatës. 

Kryeministri grek, Kostas Karamanlis, i cili zhvilloi edhe një vizitë në zyrat qendrore të zjarrfikësve në Athinë, tha se stabilizimi i situatës po vështirësohej për shkak të erërave të forta që kanë përfshirë vendin./tvklan.al