Zjarret kanë dalë jashtë kontrollit në periferi të kryeqytetit grek Athinë duke përpirë ç’tju dalë përpara.
Flakët arritën deri në lagjet e largëta veriore, duke shkatërruar shtëpi e detyruar mijëra persona të braktisin shtëpitë e tyre.
“Kur e kuptuam se ç’po ndodhte, shtëpia ishte rrethuar nga flakët. Hipëm në makinë dhe arritëm të largoheshim duke lënë pas vetes një katastrofë të vërtetë”.
Disa prej tyrekanë preferuar të qëndrojnë për të shpëtuar atë që mundeshin duke denoncuar qeverinë që sipas tyre nuk po i ndihmon sa duhet.
“Zjarret po vijnë drejt nesh dhe deri tani nuk kemi parë asnjë zjarrfikëse. Nuk po na ndihmon askush. Pyes veten në ç’vend jetojmë kështu”.
2 spitale fëmijësh janë evakuuar ndërsa zjarret janë përhapur në një gjatësi prej rreth 40 kilometrash, duke prekur 10 fshatra e djegur disa shtëpi. Në hije janë shndërruar mijëra hektarë pyje. Mbi 600 zjarrfikës, 340 forca të ushtrisë janë përfshirë në një betejë me flakët të cilat po tërbohen prej 3 ditësh. Zjarrfikësit po përdorin avionë dhe helikopterë për të penguar përhapjen e zjarreve, por ato po vazhdojnë të përhapen për shkak të erës së fortë.
Situata duket e pashpresë dhe kryeministri Karamanlis ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ai e ka cilësuar mrekulli faktin që asnjë prej këtyre personave dhe zjarrfikësve nuk është lënduar nga situata ekstreme.
Në ndihmë Greqisë i kanë ardhur avionë ujëlëshues nga Franca dhe Italia. Përpjekjet janë të mëdha për të parandaluar përsëritjen e tragjedisë së vitit 2007 kur nga situatë e ngjashme që nuk shihej në dekada humbën jetën 67 persona./tvklan.al