3 të plagosur dhe dëme të shumta materiale
Këto xhirime të kamerave të sigurisë tregojnë forcën e lëkundjeve të tërmetit me magnitudë 5.6 të shkallës Rihter, që tronditën mëngjesin e sotëm qytetin perëndimor grek të Pargës, rreth 100 kilometra në jug të Sarandës.
Deri më tani raportohet për 3 persona të lënduar lehtë, të cilët po kurohen në spitalin e Janinës. Ata morën plagë nga objektet që ranë nga lëkundjet e forta. Mediat greke shkruajnë se tërmetit me magnitudë 5.6 i regjistruar rreth orës tre të mëngjesit të kësaj të shtune, i parapriu një tjetër lëkundje e fortë me magnitudë më të ulët, 4.2 Rihter.
Lëkundja e parë nxorri nga shtëpitë banorët e zonës dhe mesa duket ka shmangur një bilanc më të rëndë për njerëzit, duke u përmbyllur vetëm me dëmtime në ndërtesa. Më të dëmtuarat janë ndërtesat e vjetra, kryesisht në fshatrat pranë Pargës, ku është shënuar edhe epiqendra.
Tv Klan