Një grevë e përgjithshme ka përfshirë Izraelin këtë të hënë pas gjetjes së trupave të pajetë të 6 pengjeve një ditë më parë në Rafah, në Gazën Jugore.
Biznese, banka, institucione shtetërore, shkollat i janë përgjigjur thirrjes së një prej sindikatave më të fuqishme të vendit duke ndërprerë aktivitetet në shenjë proteste për hezitimin e qeverisë për të arritur një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve të tjerë.
Greva ka përfshirë edhe transportin, teksa fluturimet në aeroportin Ben Gurion, qendra kryesore e tranzitit ajror të Izraelit, janë ndërprerë që prej orës 8 të mëngjesit.
Ndërkohë që një natë më parë më shumë se 500 mijë njerëz mbushën rrugët në Jerusalem, Tel Aviv si dhe qytete të tjera duke kërkuar që Kryeministri Benjamin Netanyahu të arrijë një marrëveshje për të sjellë në shtëpi 101 pengjet e mbetura.
Në Jerusalem, protestuesit duke mbajtur në duar fotografitë e pengjeve të vrarë bllokuan rrugët dhe demonstruan jashtë rezidencës së kryeministrit.
Videot tregojnë oficerët duke u përleshur me protestuesit, disa prej tyre të cilët merren zvarrë nga forcat e sigurisë.
Policia përdori gjithashtu gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e cila kërkonte të bllokonte trafikun. Mediat raportojnë për 29 të arrestuar gjatë protestave të dhunshme.
Tv Klan