Një grevë e përgjithshme ka përfshirë Izraelin pas protestave për atë që shihet si dështimi i qeverisë për të siguruar lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.
Biznese, banka, institucione qeveritare, shkollat si dhe transporti preket nga greva, ndërsa spitalet dhe klinikat shëndetësore do të funksionojnë me kapacitet të reduktuar.
Një nga sindikatat më të fuqishme të vendit – njoftoi grevën njëditore. Një forum që përfaqëson disa familje pengjesh ka bërë thirrje për më shumë protesta në të gjithë Izraelin përgjatë gjithë javës me plane për të bllokuar rrugët më të ngarkuara të vendit.
Më shumë se 500 mijë njerëz mbushën rrugët në Jerusalem, Tel Aviv si dhe qytete të tjera duke kërkuar që kryeministri Benjamin Netanyahu të arrijë një marrëveshje për të sjellë në shtëpi 101 pengjet e mbetura.
Në Jerusalem, protestuesit bllokuan rrugët dhe demonstruan jashtë rezidencës së kryeministrit. Pamjet treguan autostradën kryesore të Tel Avivit të mbushur me protestues që mbanin flamuj me fotografi të pengjeve të vrarë dhe duke brohoritur “Netanyahu vrasës”.
Videot tregojnë oficerët duke u përleshur me protestuesit, disa prej tyre të cilët merren zvarrë nga forcat e sigurisë. Policia përdori gjithashtu gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e cila kërkonte të bllokonte trafikun. Mediat raportojnë për 29 të arrestuar gjatë protestave të dhunshme.
Pas zbulimit të trupave të gjashtë pengjeve, disa familje thonë se Netanyahu ka gjakun e të dashurve të tyre në duar. Netanyahu e kundërshton këtë duke argumentuar se është Hamasi ai që po bllokon një marrëveshje. Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, i cili është përplasur shpesh me Netanyahun, bëri gjithashtu thirrje për një marrëveshje dhe lideri i opozitës dhe ish-kryeministri Yair Lapid u bëri thirrje njerëzve që t’i bashkohen demonstratës në Tel Aviv.
Klan News