Trajneri: Ishte periudhë e vështirë, tani gati për punë
Armir Grima është kthyer në krye të Kombëtares së femrave, pas rrëzimit të akuzave për bashkëpunim me grupin Bajri në Shkodër. Ai do të drejtojë ekipin në takimin kualifikues të Euro 2021 ndaj Skocisë të premten në Elbasan. Grima thotë se gjithçka ka kaluar tani edhe është gati t’i kthehet punës.
“Ishte një periudhë e vështirë, që nuk ia uroj askujt, por falë miqve kaloi. E kam ndjekur ekipin gjatë kësaj kohe edhe pse Sinani që ishte në stol është një mik.”
Shqipëria nuk ka asnjë pikë në 3 ndeshjet e para, por për Amir Grimën vajzat janë në formë dhe do të përpiqen të bëjnë kthesën me Skocinë, ekipi më i fortë në grup.
“E njohim kundërshtarin, kemi luajtur më parë, e vlerësoj, por e njoh edhe ekipin tim dhe kemi mundësi ta surprizojmë.”
Skocia renditet e 22 në FIFA, ndërsa Shqipëria është e 78.
Tv Klan