Padyshim që make up-i i ditëve të festave është një dilemë për shumë femra dhe për këtë arsye në emisionin “Rudina” është menduar për një gjë të tillë. Nëpërmjet një klipi, make up artisti i njohur, Henri Gjata ka ndarë me të gjithë sekretin e punës së tij duke sjellë disa sugjerime mjaft të vlefshme si të dukeni në ditët festive.

Henri Gjata: Një prej sugjerimeve që kam për ju është përsa i përket bazës së make up-it është se duket shumë herë më bukur nëse është diçka me shkëlqim. Çdo make up duhet të nisi duke hidratuar lëkurën, pra kujdesi është rregulli numër 1 i make up-it.

Miksova dy fondatina, me mbulime të ndryshme, por të dyja hidratuese. Unë e miksova fondatinën me mbulim shumë natyral me një fondatinë pak më të trashë.

Aplikova korrektorin në zonën e ballit, poshtë syve, pra zonat parësore të lëkurës ku unë mund të mbuloj rrathët e syve të Xhensilës tonë të bukur, por edhe t’i jap dritë fytyrës.

Pastaj aplikova një krem konturues për fytyrën dhe këtë e aplikoj për ta ngrohur fytyrën rreth e rrotull dhe për t’i dhënë definim më tepër.

Një nga hapat që do t’i japë ngrohtësinë fytyrës është “cream blush”, i cili jep ngrohtësi dhe butësi në fytyrë. Në mënyrë që make up të mbajë sa më gjatë, gjithçka që kemi aplikuar në trajtë kremoze, duhet ta vëmë në vend ose ta fiksojmë me një pudër të thatë.

Tani kam kaluar tek konturimi i fytyrës. Nuk do ta konturoj me një konturë të ftohtë, por me diçka më të ngrohtë në trajtë bronzi.

Tani do të kalojmë tek trupi në mënyrë që të japim atë bazën e duhur me shkëlqim.

Pjesa e shkëlqimit nuk ka mbaruar me kaq sepse do të vazhdoj tek sytë, ku do të aplikojmë prapë xixa. Do të aplikojmë ngjyrën neutral në të gjithë kapakun e syrit. Tek cepat e syve do të kalojmë një ngjyrë pak më të errët, por në të njëjtat nëntone.

Pastaj do të aplikojmë poshtë syve një ngjyrë që lidhet shumë me këtë sezon festash, një trend i ri, që është ngjyra e kumbullës.

Do vazhdojmë tek peneli i sfumuar i syve, do e bëjmë me një hije të zezë, të cilën do e sfumojmë me furçë dhe ndihmën e facoletës.

Pasi të lyejmë dhe të vendosim qerpikët, do të kalojmë tek buzët, një e kuqe e flaktë.  Ky është make up-i që unë sugjeroj këto festa./tvklan.al