Një burrë, 41 vjeç, është liruar pasi e ëma e mbajti të mbyllur për 28 vjet. Ai u gjet në kushte të tmerrshme, kishte pak dhëmbë, kishte vështirësi në të folur dhe ecte shumë pak.
Burri ishte kequshqyer dhe iu gjetën plagë të rënda në këmbë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Suedi. Në lidhje me ngjarjen është arrestuar një 70-vjeçare. Ajo dyshohet se ka mbajtur djalin peng afërsisht për 3 dekada.

Mediat thonë që e gjithë ngjarja është zbuluar nga një e afërme që mundi të hynte në apartament të dielën ku pa brenda burrin e plagosur.
Ky i fundit gjendet në spital, megjithatë nuk jepen shumë detaje rreth gjendjes së tij shëndetësore. Një gazetë suedeze, Expressen, shkruan se djali është “burgosur” që prej moshës 12-vjeçare.

Nuk dihen ende arsye se pse 41-vjeçari është mbajtur për kaq kohë i mbyllur. Një gazetë tjetër shkruante se nëna ishte shumë mbrojtëse ndaj djalit dhe e gjitha ka ndodhur pas një incidenti familjar në të kaluarën.

E afërmja që u fut në apartament ka treguar se e gjithë ngjarja dukej si horror. Ajo ka treguar se 41-vjeçari ishte lënë në apartament ku duhej të urinonte, por përveç kësaj gjithçka ishte e pistë dhe era shumë e qelbur.
Ajo ka treguar se dyshonte për vite të tëra që burri mbahej në një apartament, por kishte vendosur të hynte brenda kur kishte mësuar se 70-vjeçarja ndodhej në spital.

“Në fillim pashë këmbët e tij. Dukeshin tmerr. Që nga gjunjtë e poshtë këmbët ishin tërë plagë”, ka treguar ajo./tvklan.al
