Kush do ta mendonte se përmes një lazeri, do të mund të zbulohej shumëçka mbi jetën e njerëzve 1200 vjet më parë? Gati e pabesueshme, por e vërtetë! Një grup studiuesish ka bërë të mundur vrojtimin e 100 mumjeve që kanë qenë pjesë e kulturës “Chancay” të Amerikës Latine. Michalel Pittman bashkë me kolegët e tij nga Universiteti i Hong Kong, panë trupat e mumifikuar në një dhomë të errët përmes teknikës LSF, e njohur ndryshe si fluoreshencë e stimuluar me lazer. (Kjo e fundit është përdorur më parë për gjetjen e fosileve të dinozaurëve)

Ata zbuluan tatuazhe të lashta e gjysmë të fshira, por që gjithsesi kanë diçka për të treguar.

Kultura “Chancay”, njerëz që besohet se kanë jetuar në pjesën bregdetare të Perusë.

“Lazeri e bën lëkurën e tyre më të ndritshme”, është shprehur Pittman. Kjo teknikë që në fakt nuk i dëmton aspak mumjet mundëson krijimin e kontrastit me tatuazhet e madje edhe vëzhgimin me sy të lirë të disa shtresave të lëkurës.

“Kjo na ndihmon për të zbuluar më shumë mbi origjinën e tyre dhe jetëgjatësinë”, thotë Pittman.

Këto mumje janë gjetur në 1981-in në një varr në Cerro Colorado të Perusë dhe thuajse të gjitha kanë tatuazhe të ngjashme. Besohet se tatuazhet janë realizuar me gjembat e kaktuseve ose ndonjë kockë të mprehtë të kafshëve. Pjesa më e madhe e tyre ngjajnë me figurat gjeometrike, si trekëndëshat, por dominon edhe forma e diamantit. Dyshimet janë se këto ‘vizatime’ në trup ishin simbole të statusit të tyre ose spirituale. Me këtë teknikë të re, pritet që të kryhen një sërë studimesh mbi historinë.

/tvklan.al