Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Grupi parlamentari Partisë Socialiste, ka përcaktuar emrat e deputetëve që do të përfaqësojnë mazhorancën në komisionin parlamentar, që do të bëjë transparencën e firmave piramidale. Ata janë deputetët Bashkim Fino, Stefan Çipa, Ejub Tabaku, Limoz Dizdari, Zydi Pepa dhe Flamur Hoxha.

Burime brenda grupit thonë, se Limoz Dizdari do të jetë nënkryetar i komisionit, pasi sipas ligjit, kryesimi i takon grupit të deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e tij. Ndërkohë edhe PD ka përcaktuar emrat e deputetëve që do të marrin pjesë në komisionin për transparencën e fajdeve.

Forca më e madhe e opozitës, do të përfaqësohet në komision nga deputetët Besnik Mustafaj dhe Pal Dajçi, ndërsa aleancisti Arben Imami pritet të jetë kryetar i komisionit. Dy vendet e tjera të opozitës në këtë komision, u janë lënë partive të vogla të djathta.

Të hënën në mbrëmje Parlamenti votoi objektin e hetimit të komisionit, ku me propozimin e mazhorancës u shtua edhe një pikë tjetër, ajo e implikimit të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit në firmat piramidale. Komisioni do të hetojë edhe mënyrën se si janë shitur asetet e firmave piramidale./tvklan.al