Nuk reshtin kërcënimet e Iranit për hakmarrje ndaj sulmit izraelit të së shtunës ndaj bazave raketore, ku u vranë 4 ushtarë dhe u plagosën dhjetëra persona të tjerë.

Teksa vetë Ajatollahu dhe liderët politikë në Teheran u shfaqën më të përmbajtur, Gjeneral Major Hosein Salami paralajmëroi Izraelin me pasoja përtej imagjinatës.

Agjencitë iraniane të lajmeve citojnë Salamin të ketë thënë se sulmet izraelite në Iran ishin larg arritjes së qëllimeve dhe se Izraeli i kishte bërë llogaritë gabim.

Kreu i Gardës Revolucionare tha se “armiku do të bëhet të kuptojë se kush është populli iranian dhe rinia e tij”.

Teherani ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtë të hënë për të dënuar sulmin izraelit, që ishte hakmarrje ndaj atij të 1 Tetorit të Iranit ndaj Izraelit.

Të dielën, Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha se sulmi izraelit arriti qëllimin e tij duke dobësuar aftësinë e Iranit për të kryer sulme me raketa.

Ndërkaq, aleatët e të dyja palëve, Uashingtoni dhe Moska thanë se po bëjnë përpjekje për të bindur Tel Avivin dhe Teheranin për të frenuar spiralen e hakmarrjeve, që rrezikon të shndërrohet në një luftë të madhe.

Tv Klan