Për studentët shqiptarë në këtë vit të ri çel dyert një universitet i ri privat, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, i themeluar nga ish-politikani i njohur dhe ish-ministri i Financave, Anastas Angjeli.

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë është licencuar nga Këshilli i Ministrave në tri degë Ekonomi, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci e Shkenca Politike.

Rektori i tij, Anastas Angjeli  në ceremoninë e prezantimit theksoi se krijimi i UMSH, mbështetet në cilësinë e lartë të metodave mësimore, punën kërkimore shkencore dhe përzgjedhjen e një stafi të kualifikuar akademik, të cilën ai e quan edhe si detyrim të vazhdimit të përvojës së vet akademike.

Anastas Angjeli: “Nisma jonë për krijimin e universitetit nuk ishte një nismë e çastit. Por para dy vjetësh bashkë me disa koleg të mi morëm një nismë për të bashkëpunuar me disa universitete të rajonit tonë, të cilët janë të ftuar sot këtu, me Universitetin Iliria në Kosovë dhe veçanërisht me Universitetin Kombëtar të Strugës. Do të në shkruajmë edhe dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shkencës, shkëmbimeve akademike dhe pedagogjike dhe natyrisht edhe në zhvillimin e programeve të përbashkëta. Duke shpresuar se në këtë mënyrë japim sinjalin e një konsorciumi rajonal.”

Kryetar i Bordit akademik të këtij universiteti do të jetë profesori i njohur i të Drejtës Ndërkombëtare Publike, Arben Puto.

Arben Puto: “Më tërhoqi vëmendjen programi, marrëdhëniet ndërkombëtare, politika. Është edhe fusha e ekonomisë një nga më të rëndësishmet, por sfera ime është pikërisht ajo e marrëdhënieve ndërkombëtare. Unë atë që kam bërë e kam bërë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe pikërisht për këtë më tërhoqi vëmendjen dhe doemos më tërhoqi vëmendjen edhe një si Anastasi, një njeri me një eksperiencë të madhe.”

Në prezantimin e Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, merrnin pjesë personalitete të politikës, arsimit dhe biznesit./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani