Shkencëtarët në California Institute of Technology kanë krijuar një maskë “smart” që mund të analizojë frymëmarrjen dhe të dallojë për shenja sëmundjeje. Pajisja mund t’i ngarkojë të dhënat e saj në një aplikacion përmes Bluetooth.
Ata shpresojnë se kjo do të jetë një formë e përballueshme dhe e leverdisshme për të dalluar dhe analizuar menjëherë biomarkerat që lidhen me frymëmarrjen dhe proceset metabolike. Sipas tyre, ka një potencial për të përmirësuar përpjekjet në diagnostikimin e hershëm të sëmundjeve të mushkërive, t’i vëzhgojë dhe të ndihmojë në kurat e personalizuara.
“Teknologjia jonë mund të shërbejë si platformë e përgjithshme e analizimit të frymëmarrjes. Ne mund të përzgjedhim sensorë të ndryshëm për një sëmundje të caktuar ose disa sensorë për një larmishmëri sëmundjesh”, tha një nga autorët kryesorë të studimit, Wei Gao.
Pajisja funksionon duke kondensuar avujt e frymëmarrjes. Materiali mund të humbasë lehtësisht nxehtësinë, por përmban edhe një hidroxhel që ftohet nga avullimi natyral i ujit.
Më pas, frymëmarrja e kondensuar shkon në një sensor të pajisjes që dallon praninë dhe nivelet e elementëve të ndryshëm si alkooli, pH, amonium dhe nitrit. Nga aty shkon te hidroxheli duke pasur një burim të vazhdueshëm uji për procesin e avullimit.
Eksperimentet u kryen te vullnetarët e shëndetshëm si dhe me probleme në frymëmarrje, përfshirë astmatikët. Maska mund të dallojë ndryshimet në përqendrimin e alkoolit dhe të vëzhgojë ndryshimet në nivelet e amoniumit që lidhen me konsumimin e proteinave.
Kjo e fundit është edhe një alternativë për analizat e gjakut për sëmundjet renale dhe monitorimin e personalizuar të metabolizmit të poteinave. Përqendrimi i nitritit ishte më i lartë në grupin e personave me rrugë të pezmatuara frymëmarrjeje, si dhe tek astmatikët.
Maska mund të mbahet përgjatë aktiviteteve të përditshme, si edhe gjatë natës. Kështu pacientët mund të monitorojnë shëndetin e tyre në kohë reale dhe pa qenë nevoja për vizitë mjekësore.
Një tjetër avantazh është kostoja e ulët. Pjesa e ripërdorshme elektronike kushton disa dhjetëra dollarë, ndërsa pjesa që ndërrohet rreth 1 dollarë./tvklan.al