PZAP shkeli vendimin e Kushtetueses
Kryetari në detyrë i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shkelur në mënyrë flagrante vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me moscertifikimin e listës së kandidatëve për deputetë nga ky subjekt, Haradinaj ka njoftuar se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme.
“Me gjithë përkushtimin e Aleancës që të respektojë procesin e certifikimit të kandidatëve, sot jam i shqetësuar me shpërfilljen e skajshme, që PZAP i ka bërë fakteve në rastin e Dr. Shemsedin Dreshajt.
Vërejtja gjyqësore që Dr. Dreshaj ka marrë para 3 viteve është konsumuar me 16.01.2021 përderisa afati i dorëzimit të listave është përmbyllur me 18.01.2021 dhe KQZ morri vendim që afati 3 vjeçar të përcaktohet me datë të certifikimit”.
“Megjithë konsumimit tre vjeçar të përcaktuar me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe Vendimit të KQZ-së për lidhjen e afatit me certifikim, PZAP ka shkelur në mënyrë flagrante Vendimin e Kushtetueses, Vendimin e KQZ-së dhe të drejtën themelore për kandidim. Aleanca do t’i drejtohet Supremes për rastin e Dr. Dreshaj dhe mbesim me besim të plotë që ky vendim i padrejtë i PZAP do të hidhet poshtë”, ka thënë Haradinaj.
“Tendencat për qasje selektive edhe kur respektohen institucionet siç ndodhi sot me zëvendësimin e tre kandidatëve që bëri Aleanca, shpërfaq një orkestrim për dëmtim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”./klankosova