“Shqipëria nuk e mori dot tregun e Kosovës pas taksës 100%”
Samiti i Minishengenit ballkanik i zhvilluar në Tirane, ku Kosova refuzoi të bëhej pjesë u bë shkak për një tjetër përplasje publike mes Edi Ramës dhe Ramush Haradinaj.
Por në një intervistë për “Epokën e re|, një të përditshme të Prishtinës, kryeministri në ikje i Kosovës shprehet i keqardhur më shumë për faktin që shqiptarët duhet të përballen me këtë gjuhë që sjellë ndasi mes dy popujve.
“Krejt shqiptarët, pavarësisht feve, krahinave, partive politike, jemi vëllezër e motra. Ne jemi një. Por, për interesa nacionale nuk kam qare pa u pozicionuar. Dhe kur pozicionohem nuk e bëj për inat të njërit apo për hatër të njërit, sepse për interes nacional janë vrarë Shkëlzeni, Luani dhe familja ime i ka kaluar ato që i ka përjetuar. Kur kam dalë kundër ndarjes dhe kundër asaj se ‘Trepça’ t’i mbetet Serbisë nuk mërzitem se kush hidhërohet. Aty është burimi i ndasive qe kemi. U kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve që i mërzisim tash me këtë gjuhë që përdoret”.
Por meaculpa e bërë për polemikat nuk e pengojnë që të vazhdojë të shprehi kritikat për qeverinë e Shqipërisë që sipas Haradinajt i ka sjellë pengesa dy ekonomive në momentin që Kosova ka vendosur taksën prej 100 përqind për produktet serbe.
“Më dhimben shqiptarët e Shqipërisë, vëllezërit e motrat e jugut, sepse ne kur i kemi vendosur taksë Serbisë është dashur që Shqipëria ta fitojë tregun në Kosovë. Kur Kosova iu heq si treg Serbisë, në vend se Shqipëria ta marrë këtë treg, shqiptarët mes vete kanë vendosur taksë në rrugë, e cila është 42 euro për kamion e 5 euro për makinë. Pra, ne kemi vendosur bllokadë që mos me u lidh këto ekonomi”.
Duke folur për politikën e brendshme dhe marrëdhëniet me opozitën, Haradinaj sërish shigjeton maxhorancën në Tiranë por dhe atë në Beograd.
“ Opozita është trajtuar me respekt gjatë gjithë kohës së qeverisjes time. E kemi respektuar ditën e zgjedhjeve dhe kemi respektuar rezultatin. Ka vende të tjera që nuk e lejojnë opozitën të vijë deri të fitorja. Ne i shohim këto në të dyja anët e Kosovës. Këtu nuk e ka penguar dikush opozitën për të fituar, për t’u rritur dhe që të ndihet e lirë.
Në intervistën e tij Haradinaj ka folur për vendimet e tij më të vështira gjatë këtij viti, për raportet me ndërkombëtarët, dhe për partnerët e koalicionit.
Tv Klan