Pa përmendur emrin e tij në asnjë moment, ministri i Punëve të Jashtëm, Igli Hasani i ka kujtuar Greqisë se Fredi Beleri nuk mund të bëhet sebep për bllokimin e integrimit të vendit.
Duke folur në Forumin e Dubrovnikut kujtoi se Shqipëria është duke i përmbushur detyrimet e saj ndaj s’ka justifikime për të penguar mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian.
“Sa i përket Shqipërisë, nuk ekziston asnjë “pasiguri” apo “dyshim”. Dhe as justifikim për ata që duan të bllokojnë. Ne po i përmbushim detyrat tona të shtëpisë për të filluar negociatat për kapitujt dhe nuk duhet të lejojmë asnjë individ të hyjë në axhendën dypalëshe të një vendi. Shqipëria dhe partnerët e saj kanë investuar shumë në reformën e sistemit të drejtësisë dhe ajo ka filluar të krijojë besim me vendimet e saj. Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe ne do të përpiqemi të sjellim shpresë, përmes rezultateve”, tha ai.
Hapja e kapitujve të negocimit mes Tiranës dhe Brukselit po mbahet peng nga Greqia, e cila në mënyrë të përsëritur çështjen “Beleri” e konsideron si çështje mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ndërkohë që kandidati fitues i zgjedhjeve në Himarë është dënuar tashmë me vendim të formës së prerë nga drejtësia shqiptare për blerje votash gjatë zgjedhjeve lokale të 2023.
Po ashtu ai edhe pse në qeli u kandidua për eurodeputet nga partia e kryeministrit grek Mitsotakis dhe doli fitues.
Tv Klan