Nga Samiti i V i Gruas Shqiptare të Diasporës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani e cilësoi votën e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës një moment historik për demokracinë shqiptare.

“Një lajm i mirë është që në zgjedhjet e pranverës së ardhshme, vota e anëtarëve të diasporës do të garantohet nga vendi i tyre pritës, duke bërë të mundur një të drejtë kushtetuese, por dhe një kërkesë të vazhdueshme nga diaspora jonë. Vota e diasporës është një moment historik dhe një borxh që u kthehet shqiptarëve që jetojnë jashtë.”

Ky samit e gjen Shqipërinë pak ditë përpara hapjes së kapitujve të parë të negociatave. Për shefin e diplomacisë, 15 tetori shënon edhe progresin që partnerët ndërkombëtarë i kanë njohur vendit tonë në këtë rrugëtim të gjatë.

“Një hap më tej i njohjes së seriozitetit të reformave dhe angazhimeve tona për këtë proces jetik të Shqipërisë dhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë, dhe falë jush këto realitete po bëhen gjithnjë e më të prekshme.”

Bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama, e ftuar në një nga panelet e këtij samiti, teksa foli për kontekstin socio-ekonomik, sfidat dhe mundësitë në procesin integrues të vendit drejt unionit tha se anëtarësimi në BE gjen një mbështetje të gjerë tek shqiptarët.

 “Bazuar në sonadazhin e barometrit më shumë se 70% e shqiptarëve e mbështesin këtë proces dhe në unison si shoqëria ashtu edhe klasa politike gjithashtu.”

Gjatë samitit u vu theksi edhe tek tërheqja e investimeve nga diaspora, si një element që ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin e vendit.

Tv Klan