Katër shtetas të Kosovës, aktualisht ndodhen në paraburgim në Serbi nën akuzat për krime lufte: Nezir Mehmetaj, Hasan Dakaj, Sadik Duraku dhe Tefik Mustafa.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për akuzat për krime lufte. Ato e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova ka juridiksion të njohur ndërkombëtarisht mbi trajtimin e veprave që kryhen brenda territorit të saj.

Serbia, në strategjinë e vet kombëtare 2021-2026 për ndjekje të krimeve të luftës, pretendon se ka juridiksion për të vënë drejtësi për krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura në vitet ’90.

Në të përmendet se Zyra e Prokurorit për Krime Lufte ka krijuar grupe të përpunuesve të të dhënave sipas parimit territorial, “pra duke ndjekur lidhjet e rasteve me vendin ku është kryer vepra penale – në Bosnje e Hercegovinë, në Republikën e Kroacisë, në Kosovë”.

Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për proces të drejtë ligjor për personat e arrestuar në Serbi nën akuzat për krime lufte.

Puna e Prokurorisë serbe është kritikuar në të kaluarën.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, mungesa e transparencës dhe mungesa e informacionit – që duhet të jetë i qasshëm publikisht – e kanë përjashtuar publikun prej këtyre proceseve.

Në raportin e fundit të kësaj organizate është përmendur edhe mungesa e dëshmitarëve. Sipas tij, Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet në rastet për krime lufte.

Në Raportin e Progresit për Serbinë, për vitin 2023, Komisioni Evropian ka përmendur që “ritmi i gjykimit të krimeve të luftës në Serbi është përkeqësuar në vitet e fundit” dhe se duhet treguar përkushtim të vërtetë për zgjidhjen e rasteve./REL