Prokuroria e Posaçme e Kosovës, tha të hënën se ka filluar intervistimin e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, me qëllim të sqarimit të një deklarate në fillim të korrikut “lidhur me takimet dhe diskutimet e mundshme me prokurorë dhe gjyqtarë për raste të caktuara”, si dhe një postimi në Facebook lidhur me arratisjet nga burgjet e Kosovës.
Të shtunën me 20 korrik, në një postim të gjatë në Facebook, ministrja Haxhiu, ngriti pretendime se autoritetet e Serbisë janë gisht në arratisjen e disa të dënuarve nga burgjet e Kosovës.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, shkroi ministrja Haxhiu.
Postimi i saj u bë një ditë pasi autoritetet në Serbi njoftuan është vrarë i dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri me 18 korrik në afërsi të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës.
Autoritetet serbe thanë se i vrari është Faton Hajrizi, i cili më 6 korrik ishte arratisur nga një burg në Kosovë. Autoritetet thonë se që nga vitit 2007, nga burgjet e Kosovës janë arratisur 56 persona. Intervistimi i ministres Haxhiu pritet të vazhdojë edhe të martën./VOA