Modernizimi i 120 km në linjën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit, e cila do të përshkohet për vetëm dy orë, do të jetë objekti i huasë së nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në relacionin që shoqëron marrëveshjen e kredisë bëhet me dije se financimi kap vlerën e 98.75 milionë Eurove dhe se i gjithë projekti përfundon në Dhjetor 2030. Ky projekt përveç rikthimit në funksion të linjës me një binar dhe teresisht elektrike synon edhe ndërtimin 12 stacioneve hekurudhore, ndërtimin e një tuneli me gjatësi 320 metër, ndërtimin e 12 urave etj.
Linja hekurudhore do të përdoret si për pasagjerë edhe për mallra dhe do të lidhet me Malin e Zi nëpërmjet stacionit të përbashkët hekurudhor të Tuzit drejt Podgoricës e më tej, drejt lidhjeve hekurudhore ndërkombëtare midis kryeqyteteve, duke përfshirë përveç Tiranës dhe Podgoricën e Beogradin, Zagrebin, Lubjanën dhe Budapestin, teksa pritet të japë një shtysë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së vendit.
Me ndërtimin e kësaj linje hekurudhore, pritet një fluks udhëtarësh prej 2 300 000 udhëtarësh/vit dhe volum mallrash prej 900 000 tonësh/vit.
Tv Klan