Qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë rifilluar bisedimet për një marrëveshje të mundshme mes dy vendeve për njohjen e pensioneve.

Lajmi bëhet i ditur nga Athina zyrtare, e cila njofton se për të diskutuar rreth hartimit të një strategjie të përbashkët është zhvilluar një takim mes Ministres greke të Punës dhe Çështjeve Sociale Niqi Qerameos dhe ambasadores sonë në Athinë Luela Hajdaraga.

Në njoftimin për shtyp të kësaj ministrie thuhet se palët janë duke punuar për gjetjen e rrugëve të përbashkëta, që synon t’i japë zgjidhje njohjes reciproke të pensioneve, pjesë e të cilës do jenë si shtetasit shqiptarë që jetojnë në Greqi, ashtu edhe ata grekë që kanë zgjedhur për të punuar në vendin tonë.

Në 12 Maj nga Athina, Kryeministri Rama konfirmoi përpara emigrantëve, se pala shqiptare kishte arritur më në fund të çelte negociatat me fqinjin tonë jugor për arritjen e një marrëveshje, ndonëse e cilësoi të vështirë këtë proces, sikundër edhe dakordësia e arritur më herët me Italinë fqinje në 4 Shkurt të këtij viti.

Nga marrëveshja, e cila është parashikuar të ndjekë një model të ngjashëm me atë të zbatuar me Italinë, përllogaritet të përfitojnë mbi 800,000 shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.

Deri më tani Shqipëria ka lidhur marrëveshje për njohjen reciproke të pensioneve me mbi 20 shtete.

Tv Klan