Në kantierin për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-aeroporti “Nënë Tereza”-Durrës, janë drejt përmbylljes punimet infrastrukturore.

Tashmë ka mbërritur edhe makineria moderne, Tamping, përmes së cilës bëhet e mundur paketimit, shtypja e çakëllit përmes të cilave rritet qëndrueshmëria e binarëve. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u njoh nga afër me punimet dhe ecurinë e tyre.

“Kemi avancuar me një sërë komponentë të projektit, sepse projekti i Tiranë-Rinas-Durrës ka disa komponentë. Nuk është thjesht traseja me të cilën po ecim me një shpejtësi të mirë, të qëndrueshme dhe të konsiderueshme. Rreth 80% e proceseve janë të bëra. Nga ana tjetër, jemi edhe duke avancuar me komponentët e tjerë siç është pjesa e stacioneve. Është mbyllur gara ndërkombëtare për stacionet, kemi tashmë një fitues. Hekurudha Shqiptare është në momentin kur po lidhet kontrata, po negociohet lidhja e kontratës dhe më pas nis menjëherë nga puna për ndërtimin e këtyre 10 stacioneve të cilat janë parashikuar në projektin origjinal të gjithë hekurudhës.”

Balluku u ndal më tej edhe tek procesi i radhës që do të kryhet tek kjo vepër e rëndësishme infrastrukturore.

“Në dhjetor kemi garën ndërkombëtare për elektrifikimin e hekurudhës dhe në ndërkohë kemi dhe komponentin e fundit i cili ka të bëjë me operimin e hekurudhave që është një komponent shumë i rëndësishëm, një komponent që po shkon me një studim të detajuar gjithashtu ndërkombëtar me mbështetjen e partnerëve tanë dhe që nga ana tjetër duke dizenjuar këtë komponent atëherë do të kemi një manual të qartë operimi për të gjithë hekurudhat e tjera për të cilat ne kemi aplikuar apo kemi fituar, siç është rasti i Vorë-Hani i Hotit që është projekti që do të fillojë menjëherë.”

Sipas Ballukut, shpejtësia e trenave që do të lëvizin përgjatë hekurudhës Tiranë-aeroporti “Nënë Tereza”-Durrës do të jetë 120 km/h.

Klan News