“Do t’i kundërshtoj me prova dhe fakte akuzat”

Botuesi Henri Çili, i arrestuar një ditë më parë së bashku me 27 persona të tjerë, ka mohuar akuzat e prokurorisë se ka marrë përsipër të ndihmonte për lirimin nga burgu të vëllezërve Arbjon dhe Alban Aliko, të dënuar përkatësisht me burg përjetë dhe 18 vjet për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha në vitin 2015 në Lazarat.

Çili përmes avokatit të tij Andi Duraj ka treguar në policinë e Gjirokastrës se nuk ka kryer asnjë shkelje dhe gjithçka është e manipuluar. Ai ka thënë se akuzat do t’i kundërshtojë në momentin e duhur me prova dhe fakte.  

Sipas avokatit, botuesi nuk është marrë në pyetje në asnjë moment nga organi i  akuzës, për t’u përballur me provat që e implikojnë atë  në veprimtaritë kriminale.

Sipas prokurorisë, ai është përgjuar duke ofruar ndihmë në këmbim të parave dhe pasurive për të ndikuar tek një anëtar i sistemit të drejtësisë, me qëllim lirimin nga burgu të vëllezërve Aliko.

Botuesi u arrestua gjatë operacionit “Mezhgorani” që kishte nisur fillimisht për falsifikim kartmonedhash dhe trafik të lëndëve narkotike, për më pas zbuloi tentativën për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Të arrestuarit pritet të dalin të dielën para gjykatës së Përmetit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Ndaj botuesit Henri Çili rendojnë 6 akuza, si “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikimi i dokumenteve, falsifikim i dokumenteve ne bashkëpunim, mashtrim, fshehje e te ardhurave dhe pastrim i parave”.

Tv Klan